RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Nënshkruhen marrëveshje për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve me karta identiteti me Malin e Zi dhe Maqedoninë Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Merkure, 14 Dhjetor 2011

Sot në datën 14.12.2011 në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme u nënshkruan dy marrëveshje për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve shqiptare, vetëm me karta identiteti, me dy shtete fqinje, respektivisht me Malin e Zi dhe Maqedoninë.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë  z. Edmond Haxhinasto me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë z. Nikola Poposki dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi z. Milan Roćen, respektivisht.

Marrëveshjet  parashikojnë lehtësimin e mëtejshëm të lëvizjes së shtetasve ndërmjet dy vendeve duke përdorur për këtë qëllim jo vetëm pasaportat, por edhe kartat e identitetit biometrike.

Marrëveshja është propozim i palës shqiptare, e cila gjatë presidencës së inisiativës rajonale MARRI, në vitin 2010, lancoi idenë e krijimit të një zone të lëvizjes së lirë ndërmjet vendeve anëtare, i qujatur ndryshe krijimi i një “Shengeni Ballkanik”, nxitur edhe nga përvoja pozitive e përdorimit të kartave  të identitetit si mjet udhëtimi me Republikën e Kosovës. Marrëveshja së shpejti do të nënshkruhet edhe me Bosnjë-Hercegovinën.   

Këto marrëveshje do të lehtësojnë dhe nxisin lëvizjen e njerëzve, duke forcuar lidhjet ndërmjet popujve dhe bashkëpunimin ndërmjet tyre, duke krijuar një klimë të re rajonale, në  funksion të integrimit të plotë në familjen evropiane.

Prononcim i z. Haxhinasto dhe z. Poposki pas nënshkrimit të Marrëveshjes mes Shqipërise e Maqedonisë

Z. Haxhinasto:  Siç e shikoni, bashkëpunimi në rajonin tonë po intensifikohet çdo ditë. Pas përfundimit me sukses të takimit të Kartës së Adriatikut, po vazhdojmë në realizimin e disa objektivave të rëndësishme të agjendës sonë dy palëshe. Konkretisht, sot firmosëm me ministrin Popovski, “Marrëveshjen për Lëvizjen me dokumenta identifikimi”, midis dy vendeve tona.

Është një zhvillim shumë i rëndësishëm pasi po hedhim hapa konkret drejt krijimit të një zone të lëvizjes së lirë në rajon, është shprehje e pasqyrimit të shkëlqyer që Shqipëria ka me Maqedoninë, bashkëpunim i cili do të vazhdojë edhe në fusha të tjera të rëndësishme për ne. Bashkëpunimi i shkëlqyer politik, reflektohet në hapa konkretë në integrimin ekonomik midis dy vendeve tona me qëllim që ne të përgatitemi sa më parë për të qenë ashtu siç synojmë të jemi të dy vendet, anëtarë të denjë të BE-së.

Z. Popovski: Ju faleminderit shumë. Është kënaqësi që ndodhem këtu sot. Nënshkrimi i marrëveshjes përbën një hap të rëndësishëm për lehtësimin e lëvizjes midis dy vendeve.  

Bëhet fjalë për një hap shumë konkret, i cili do të rrisë mundësitë për bashkëpunim ndërmjet të dy vendeve tona si dhe do të lehtësojë kalimin e kufirit, me qëllim që të realizojmë atë qëllim që është integrimi, lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve si dhe rritja e angazhimeve të dy vendeve tona të përbashkëta, pra integrimi në BE.

Është kënaqësi fakti se ne, këtë mundëm ta bëjmë në të njëjtin moment, për të cilën biseduam edhe gjatë takimeve tona në takimin e Kartës së Adriatikut, në kuadër të të cilit, na jepet mundësia që të dërgojmë një sinjal të madh se çfarë integrimi do të thotë për të gjithë ne. Ju faleminderit edhe një herë për këtë mundësi të shkëlqyer.

Prononcimi i z. Haxhinasto dhe z. Rocen pas nënshkrimit të marrëveshjes me Malin e Zi     

Z. Haxhinasto: Kam kënaqësinë e veçantë që pas nënshkrimit të marrëveshjes me kolegun maqedonas, tani të firmos të njëjtën marrëveshje me ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, mikun Rocen.

Është shprehje e bashkëpunimit të shkëlqyer që ne kemi midis dy vendeve. Kemi tashmë një traditë të konsoliduar të këtyre marrdhënieve. Janë marrëdhënie, të cilat janë bazuar në respektin e ndërsjelltë dhe në interesa të përbashkëta. Ky bashkëpunim që sot përfshiu fushën e lëvizjes së lirë vetëm me dokumenta identifikimi, do të ndiqet sigurisht edhe me shumë projekte të tjera, të cilat do të jenë konkrete, përsa i takon integrimit të të dy shteteve tona, Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Kemi shembuj të shkëlqyer të bashkëpunimit në pikat e kalimit kufitar. Po shtojmë bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës. Gjithashtu, kemi bashkëpunim edhe në shumë fusha të tjera. Por, kemi një bashkëpunim gjithashtu të shkëlqyer në çështjet e sigurisë, në çështjet politike, në çështjet e vizionit tonë për rajonin, për integrimin e tij në NATO dhe në BE.

Ju konfirmoj sot se me kolegun Rocen, ndamë të njëjtin vizion që këto marrëdhënie të shkëlqyera midis dy vendeve tona, do të forcohen më tej në të ardhmen.

Z. Rocen: Natyrisht, unë mund të përsëris atë që tha zoti Haxhinasto, vetëm se mund t’i shpreh në gjuhën e Malit të Zi.

Këtë marrëveshje, ne pritëm që ta nënshkruanim dje në vizitën e kryeministrit tuaj, Sali Berisha në Malin e Zi. Siç e dini ju, vizita e Kryeministrit Berisha u shty. Megjithatë, unë pata mundësinë që përmes një takimi të shkurtër ta takoja zotin Berisha dhe të dy kryeministrat e vendeve tona vendosën që ta nënshkruanin marrëveshjen në nivelin e Ministrave. Sipas traditës, ne jemi vende të lidhura mjaft ngushtësisht dhe me lidhje historike.

Kjo marrëveshje, do t’ua bëjë jetën më të lehtë qytetarëve tanë në të dy anët e kufirit nëpërmjet kartave, po ashtu edhe për biznesmenët dhe turistët që mund të lëvizin në të dy anët e kufirit Ne ndajmë historinë. Po ashtu ndajmë të tashmen, por edhe të ardhmen e përbashkët e cila është drejt BE-së.

Ajo ç’ka ne bëjmë sot, është për përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dy vendeve tona për sot, por edhe për të ardhmen. Marrëdhëniet tona kanë qenë të mira dhe të shkëlqyera, por sot, mund të them se kanë arritur kulmin. Gjithashtu, njëherazi ne shprehim edhe kënaqësinë për minoritetet tona në të dy krahët e kufirit.  Nuk e di se sa i gëzuar dhe mirënjohës jam sot me kolegun tim Edmond, që nënshkruajmë këtë marrëveshje në Tiranë.

Pyetjet e gazetarëve për Ministrin Haxhinasto

Pyetje: A ka një plan Ministria e Jashtme që ta shtrijë lëvizjen me karta identiteti të qytetarëve të saj edhe me vende të tjera të rajonit, pse jo dhe më tej, në Evropë?

Përgjigje: Unë do të shpreh edhe një herë kënaqësinë e veçantë që sot konkluduam dy marrëveshje të rëndësishme për lëvizjen me karta identiteti me vendet fqinje që janë direkt në kufi me ne. Këtu plotësohet lëvizja e lirë, pra, lëvizja me karta identiteti në të gjithë gjatësinë e kufirit lindor dhe verior të Shqipërisë, pra për Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi. Sigurisht që qëllimi ynë është që të vazhdojmë me marrëveshje të tilla me qëllim që qytetarët shqiptarë të lëvizin sa më lirshëm në të gjithë hapësirën rajonale dhe më pas, pse jo dhe në hapësirën “Shengen”. Konfirmoj që është një qëllim i vazhdueshëm, permanent i diplomacisë, i shërbimeve tona konsullore për të arritur marrëveshje të tilla.

Pyetje: Zoti Ministër! Pse nuk pati një pjesëmarrje të palës serbe në këtë takim?

Përgjigje: Ne i kemi bërë oferta të vazhdueshme palës serbe gjatë presidencës sonë të Kartës së Adriatikut dhe pala serbe ka shprehur pamundësinë e saj për të qenë prezent në këtë takim.

Pyetje: A ka ndonjë notë proteste nga pala serbe për pjesëmarrjen e ministrit Hoxhaj në Konferencën e A5?

Përgjigje: Jo, nuk ka asnjë protestë të tillë pasi çdo vend kryesues i Kartës së Adriatikut, ka të drejtën sovrane për të ftuar subjekte të tjera, për të ftuar organizata për të qenë pjesë e këtij procesi. Kështu që jemi në përputhje të plotë me të drejtat që na jep kjo organizatë për një ftesë të tillë.

Pyetje: Zoti Haxhinasto! Kur do të hyjë në fuqi marrëveshja që sapo nënshkruat, domethënë, shqiptarët kur do të lëvizin lirshëm me karta?

Përgjigje: Në momentin e ratifikimit nga parlamentet tona, shqiptarët dhe qytetarët e Maqedonisë e të Malit të Zi kanë të drejtë të udhëtojnë lirshëm me kartën biometrike.

 
Posta Elektronike