RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Kështjellat Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Enjte, 16 Shtator 2010

Në territorin e Shqipërisë gjenden një varg kështjellash të cilat datojnë që prej periudhave antike e deri në mesjetë. E veçanta është se disa prej tyre vazhojnë të banohen edhe në ditët tona, (Berati). Ndër më të rëndësishmet jane Rozafa, Lezha, Gjirokastra, Butrinti, Porto-Palermo,Kruja, Petrela, Kanina.

Kalaja e Drishtit. Gjendet në një distancë prej 6 km nga Ura e Mesit mbi lumit Kir. Fshati i sotëm gjendet poshtë vendgërmimit te Drivatiumit të lashtë.

Ai u ngrit në periudhën romake si një vendbanim në rrugën Shkodër– Kosovë dhe në antikitetin e vonë ishte një prej fortesave zinxhir që mbronin Shkodrën. Në shek. IX, Drishti u kthye në një fortifikim të rëndësishëm të mbretërisë së Zetës dhe varej nga Dioqeza e Tivarit. Kalaja e Drishtit u ngrit në shek e XIII si një fortese bizantine. Qyteti arriti kulmin e zhvillimit në shek. XIV derisa arriti edhe pavarësinë nga Shkodra. Në vitin 1442, Drishti ra në duart e Venedikut, më pas u mor nga Skenderbeu dhe më në fund u pushtua nga Turi në 1478. Kalaja gjendet në një kodër 800 metra e lartë. Brenda mureve të kalasë gjenden 11 shtëpi të fshatit të cilat formojnë një lagje.

Kalaja e Rozafes . Ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës. Ajo rrethohet prej ujrave të tre lumenjve, Bunës, Drinit dhe Kirit. Rozafa është një prej kështjellave më të rëndësishme në të gjithë Shqipërinë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Kalaja ka origjinë ilire dhe historiani Tit Liri e permend “...si vendi më i fortë i Labeateve” (fis ilir në brigjet e liqenit të Shkodrës). Mbreteresha ilire Teuta e ka përdorur atë si bazë në luftrat kundër Romës. Emri Rozafa del ne mesjetë. Me këtë emër lidhet legjenda që ka në qendër “mbajtjen e fjalës së dhënë” dhe si subjekt është murosja e Rozafës, nuses më të re të tre vëllezërve që ngrinin muret e kalasë ditën, por që shembeshin natn. Në hyrje të kalasë ndodhet bozorelievi i Rozafës dhe uji gëlqeror që depërton tek hyrja kryesore dhe që lidhet me fantazinë popullore si qumështi i gjirit të Rozafës, i cili u la jashtë gjatë murosjes për të ushqyer foshnjën e saj. Formën e sotme kalaja e ka marrë gjatë periudhës së sundimit të familjes feudale të Balshajve ( shek XIV). Sot shumica e mbetjeve të kalase i përkasin periudhës veneciane, sidoqoftë shihen gjurmë edhe të periudhës së osmaneve (shek XVI – XVII) dhe Bushatllinjve (shek XVIII – XIX). Muret e kalasë së Rozafës kanë një gjatësi prej 880 metra dhe rrethojnë një sip. prej 9 hektarë. Pas një resistence të fuqishme Rozafa ra nën sundimin osman në vitin 1479. Objekte të tjera brenda kalasë janë çisternat e ujit të shek XV, katedraleja e shek XIII e cila pas pushtimit osman u kthye në xhami. Gjithashtu aty ndodhet edhe muzeu i Rozafës që shpjegon periudhat e ndryshme të kalasë.

Kalaja e Petrelës. Ndodhet në rrugën nacinale Tiranë – Elbsasan, 18 km larg nga kryeqyteti. Ajo është një prej pikave kryesore turistike pranë Tiranës. Kalaja ngrihet mbi një kodër shkëmbore sipër fshatit me të njëjtin emër. Ajo ka trajtë trekëndore me dy kulla vrojtuese. Ndërtimi i parë i saj i përket periudhës së antikitetit, ndërsa forma e sotme daton shek.XV. Kalaja e Petrelës bënte pjesë në sistemin sinjalizues dhe mbrojtës të kalasë së Krujës. Këto kala komunikonin me njëra tjetrën nëpërmjet zjarreve. Kjo kala ka qenë nën komandën e motrës së Skenderbeut , Mamica Kastriotit. Prej kalasë hapet një pamje mjaft e bukur drejt luginës së Erzenit, kodrave me ullinj dhe maleve përreth.

Kalaja e Prezes. Ndodhet sipër fshatit me të njëjtin emër, në kreshtën e kodrës. Kjo është një kështjellë e vogël, e cila ka nisur të ndërtohet në shek. e XIV dhe ka përfunduar në fillim te shek. XV nga ana familjes feudale të zonës, Topiajve. Kalaja është shpallur “monument kulture”. Në qoshet e saj kalaja ka katër kulla rrethore. Kulla e sahatit është ngritur rreth viteve 1800–1850.

Ajo shquhet për pozicionin mjaft të bukur, duke kontrolluar fushën e Tiranës. Gjithashtu përballë saj ndodhet kalaja e Krujës. Kjo kala ndodhet fare pranë aeroportit ndërkombetar “Nënë Tereza“ të Rinasit. Në kala ndodhen restorante dhe lokale shërbimi.

Kalaja e Krujës. Është objekti kryesor turistik i qytetit të Krujës. Kështjella është ngritur gjatë shekujve të V-VI. Ajo ka trajtë eliptike me një perimetër prej 804 metra. Muret rrethuese janë të përforcuara nga 9 kulla. Në pjesën më të lartë në veri –lindje ngrihet kulla e Sahatit, e cila shërbente për vrojtim dhe sinjalizim me kalanë e Petrelës dhe Durrësin.

Muzeu ndodhet në hyrjen kryesore të keshtjellës. Muzeu është përuruar në vitin 1982. Krahas stendave që shpjegojnë veprimtarinë e Skëndërbeut në museum ndodhen edhe biblioteka, dokumente dhe botime që lidhen me figurën e Skënderbeut. Muzeu ka karakterin e një memoriali dhe ka elemente të tilla si harqe guri, piktura në xham etj. Brenda mureve të kalase gjenden disa shtëpi dhe Teqeja e Dollmasë. Në perëndim të kështjellës ruhet edhe hamami i shek XV.

Kalaja e Lezhës. Ngrihet në majë të kodrës me lartësi 186 metra në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në vitin 1440 ajo iu nënshtrua një rindërtimi nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522, pas pushtimit osman, u rindërtua edhe nga ana e tyre. Këtu mund të shikohen gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane. Objektet interesante për t’u vizituar janë rrënojat e ndërtesave osmane, brenda kalasë, xhamia, kulla në murin jug lindor me një hark romak, dhe kulla ilire në murin jugor. Kalaja e Lezhës është monument kulture. Prej saj shihet një pamje mjaft e bukur e fushës së Lezhës dhe e detit Adriatik.

Kalaja e Rodonit . Ndodhet në kepin e Rodonit. Princi Karl Topia dëshironte ta kthente këtë vend në një kantier detar, ndërsa heroi Kombëtar Skëndërbeu, duke synuar të kishte një dalje të afërt në det, ngriti një kështjellë. Kjo kala filloi të ngrihej pas rrethimit të parë të Krujës nga osmanët në vitin 1450. Përfundimi i saj mendohet të jetë rreth vitit 1452. Muri i kështjellës së Rodonit arrinte në një gjatësi prej 400 metrash dhe në kulmet e saj kishte kulla të rrumbullakta. Në vitin 1500 kalaja u pushtua nga venediku. Si rrezultat i veprimtarive abrazive të ujrave të detit një pjesë e mureve janë zhytur nën ujrat e detit Adriatik. Sot vizitorët mund të shikojnë muret e jashtme të anës së djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët. Pranë kalasë ndodhet edhe rrënoja e Kishës së Shën Pjetrit, të cilat konsiderohen nga banorët si vend i shenjtë.

Kalaja e Bashtovës . Ngrihet pranë fshatit të Bashtovës në një distancë prej 3-4 km në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit. Kështjella është ndërtuar në shekullin e XV dhe u ka shërbyer Venecianeve. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbini dhe si një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katër këndore me përmasa 60 x 90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin e XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metra.

Kalaja e Peqinit. Është një kala mesjetare e ndertuar në shek. XV, por mendohet mbi themele antike. Bien në sy frëngjitë për vendosjen e topave si dhe format e kullave që janë poligolnale. Kalaja ndodhet pranë lumit të Shkumbinit. Kalaja ka kaluar tre periudha rindërtimi.

Kalaja e Elbasanit. Është një kala fushore në qytetin e Elbasanit. Ajo përmendet për herë të parë nga Kristobuli, historiani i Sulltan Mehmetit II. Në shek.XVIII , qyteti u vizitua nga kronikanti otoman Evlia Celepiu, i cili bëri përshkrimin e kalasë. Kalaja u bë objekt studimi i plotë nga arkeologët austriake Prashniker dhe Shober të cilët e vizituan gjatë Luftes së Parë Botërore. Ata konstatuan se poshtë mureve mesjetare kishte fortifikime të periudhës antike. Kalaja ka formë katër këndore me përmasa 308 x 48 metra. Nga 26 kulla që ka patur, sot ruhen vetëm 8 prej tyre. Në periudhën e vonë antike qyteti brenda kalasë me emrin Skampini nisi jetën e vet si qendër banimi pranë rrugës “Egnatia” . Rindërtimi i kalasë u bë nga turqit për qëllime strategjike. Sot muret brenda kalasë janë të banuar. Aty gjenden edhe objekte të rëndësishme kulti si të besimit mysliman ashtu edhe të atij kristian.

Kalaja e Margelliçit . Ndodhet pranë qytetit të Patosit. Kjo është një kala e periudhës antike. Ajo ngrihet në majë të një kodre dhe i përket shek. VII .B.C. Kalaja e Margelliçit bënte pjesë në sistemin mbrojtës satelit të qytetit antik të Bylisit. Kalaja ka qenë gjithashtu edhe objekt i një beteje edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kalaja e Kaninës. Ndodhet 6 km larg nga qyteti i Vlorës. Kjo kala është përmendur që në shek. IV A.D., megjithatë aty janë zbuluar gjurmë që të periudhës ilire. Mendohet se është ndërtuar që në shek III B.C. Gjurmë të mëpasshme janë ato të periudhave bizantine, veneciane dhe turke. Kalaja është rindërtuar nga Justiniani në shek. V A.D dhe meremetuar nga Sulltan Sulejmani në 1531. Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3.6 hektarë. Prej këndej hapet një pamje mjaft e bukur drejt Vlorës dhe gjirit te saj.

Kalaja e Ali Pashait ne Gjirin e Porto Palermos. Është një kala e vogël e vendosur në një pozicion mjaft të bukur në një gadishull në gjirin e vogël tektonik të Porto Palermos (në antikitet e njohur si gjiri i Panormës). Kalaja ndodhet jo larg fshatit të Qeparoit. Kalaja ka formë pesë këndore. Përmasat e saj janë 150 x 400 metra. Lartësia e mureve arrin në 20 metra. Ali Pashai e ndërtoi këtë kala për nder të së shoqes, Vasiliqisë, në të njëjtën kohë edhe si pikë kontrolli. Gadishulli ku gjendet kalaja është i mbuluar me shkurre mesdhetare gjithmonë të gjelbërta ndërsa nga bedenat hapet një pamje mjaft e bukur e detit ku dallohet edhe gjiri ku mendohet se lahej Vasiliqia.

Kalaja e Borshit. I përket shek. IV B.C. dhe është rindërtuar në mesjetë. Ajo ka një siperfaqe prej 5 hektarë dhe një bazament prej blloqe gurësh. Pas periudhës antike është përmendur për herë të parë në vitin 1258 me emrin Arkontea e Sopotit. Po në këtë vit kalaja i jepet si prikë bijës së Despotit të Epirit, Helenës. Në vitin 1417 u pushtua nga turqit, ndërsa ne vitin 1441 u pushtua nga princi arbër Kostandin Muzaka. Turqit e rimorën përsëri në 1848. Kalaja njohu edhe pushtimin nga ana e Ali Pashait. Kalaja ndodhet në majë të një kodre dhe është e dëmtuar.

Kalaja e Lëkursit .Gjendet 2 km në jug të qytetit të Sarandës. Kalaja ka formë katër këndore ku në secilin kënd ngrihen kulla të rrubullakëta. Sipas disa burimeve kalaja është ndërtuar në vitin 1537 nga Sulltan Sulejmani në kuadër të fushatës së tij të pushtuar ishullin e Korfuzit. Kalaja ngrihet mbi një kodër mjaft dominante dhe ofron një pamje të mrekullueshme. Prej saj mund të shikohet një distancë me rreze deri në 60 km.

 
Posta Elektronike